Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj disa të dyshuarve për kontrabandë me naftë, të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Sipas Prokurorisë Speciale, bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se ka kryer kontrabandë të derivateve, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.
Hetimet, sipas organit të akuzës, kanë zbuluar një skemë të organizuar ku dyshohet se janë përdorur importe fiktive të naftës, faturime të rreme dhe manipulim i qarkullimit financiar për të fshehur origjinën e parave.
Prokuroria pretendon se në krye të këtij grupi qëndron një nga të dyshuarit kryesorë, i cili dyshohet se ka përdorur biznese të derivateve për të legalizuar të ardhura me origjinë kriminale, përmes transaksioneve bankare dhe faturave fiktive.
Në dosjen hetimore përfshihen edhe pretendime për transport ndërkufitar të derivateve, ku dyshohet se është përdorur një skemë ku nafta e deklaruar është shkëmbyer me ujë, duke shmangur kontrollet doganore dhe duke krijuar përfitime të paligjshme.
Sipas Prokurorisë, në këtë rrjet dyshohet se kanë qenë të përfshirë disa persona me role të ndryshme, nga organizimi i biznesit, transporti, deri te modifikimi teknik i mjeteve transportuese dhe lëshimi i faturave fiktive.
Gjithashtu, në kuadër të aksionit janë sekuestruar edhe armë, para dhe prova materiale, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim edhe me autoritetet në rajon.
Prokuroria Speciale thekson se rasti mbetet kompleks dhe po trajtohet në disa drejtime hetimore, përfshirë edhe pastrimin e parave dhe shmangien e detyrimeve tatimore.