Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka suspenduar dy inspektorë tatimorë, pasi ndaj tyre është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Sipas njoftimit të ATK-së, vendimi për suspendim ka hyrë menjëherë në fuqi dhe do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Prokuroria Themelore në Gjakovë dyshon se dy zyrtarët, gjatë vitit 2022, në dy raste të ndryshme, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh në këmbim të mosveprimit sipas detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, në secilin rast ata kanë marrë nga 300 euro, ndërsa akuzohen se vepruan në bashkëkryerje.
ATK ka theksuar se nuk toleron asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo veprime që dëmtojnë integritetin e institucionit.