Errët
Ndritshëm

Protestë në Zarë të Kroacisë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

29.06.2026

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka njoftuar se më 5 korrik në Zarë të Kroacisë do të mbahet një protestë në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij, protesta do të nisë në ora 18:00 dhe është organizuar në bashkëpunim me shqiptarët në Kroaci, pa përjashtuar edhe pjesëmarrjen e qytetarëve kroatë.

Gucati u bëri thirrje qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në Kroaci, si dhe mërgatës shqiptare që ndodhet atje, që t’i bashkohen protestës me moton “Liri për Çlirimtarët”.

Ai theksoi se kjo iniciativë vjen nga Esat Çollaku, Nikollë Prekë Palaj dhe Sami Gashi, me mbështetjen e organizatave të dala nga lufta.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe më herët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa më 17.02.2026 në Prishtinë ishte organizuar një marsh në ditën e pavarësisë së Kosovës me moton “Drejtësi, jo politikë”.

Ndërkohë, në Hagë, Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Fillimisht vendimi ishte planifikuar të shpallej më 19 maj, por për shkak të kompleksitetit të rastit, afati është shtyrë deri më 20 korrik 2026, me mundësi ndryshimi.

Errët
Ndritshëm