Errët
Ndritshëm

Zjarri në Prishtinë lë të lënduar shtatë persona, policia rrethon zonën

27.06.2026

Një zjarr i madh ka përfshirë katin e fundit të një ndërtese në afërsi të Parkut të Qytetit në Prishtinë, duke lënë të lënduar dy persona, babë e bir.

Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka bërë të ditur se të lënduarit janë duke marrë trajtim mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe pesë zjarrfikës, të cilët pësuan lëndime gjatë ndërhyrjes për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës mjekësore. Për arsye sigurie, policia ka bllokuar qarkullimin në afërsi të objektit dhe ka vendosur shiritat e sigurisë rreth zonës së prekur.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë flakë të mëdha që kanë përfshirë katin e fundit të ndërtesës, ndërsa ekipet e reagimit të shpejtë vazhdojnë përpjekjet për ta vënë situatën nën kontroll.

Në terren ka dalë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili po përcjell nga afër zhvillimet.

Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet pritet të nisin hetimet pasi të përfundojë ndërhyrja e zjarrfikësve.

Errët
Ndritshëm