Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie private, nën dyshimin për mashtrim në një tender të Komunës së Dragashit.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet B.P., si përfaqësues i kompanisë “B. Sh.P.K.”, akuzohet se në dhjetor të vitit 2023 nuk i ka përmbushur kushtet e kontratës për furnizimin e shkollave të Dragashit me 16 fotokopje. Në vend të pajisjeve të reja, siç ishte paraparë në kontratë, dyshohet se janë dorëzuar aparate të vjetra, të servisuara dhe të rifabrikuara.
Prokuroria vlerëson se me këtë veprim Komunës së Dragashit i është shkaktuar dëm ekonomik, pasi pajisjet kanë qëndrueshmëri më të ulët dhe mund të sjellin shpenzime shtesë për mirëmbajtje.
Rasti tashmë është dërguar në gjykatë, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.