Mbi 50 mijë pjesëtarë të diasporës kanë aplikuar për të votuar nga jashtë, vetëm në gjashtë ditët e para të procesit për zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Valmir Elezit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri tani janë aprovuar mbi 36 mijë aplikime, ndërsa rreth 9 mijë të tjera mbeten ende në shqyrtim.
Pjesa më e madhe e kërkesave vjen nga diaspora në Gjermani me rreth 18 mijë aplikime, pasuar nga Zvicra me 8 mijë dhe Franca me 1,600 aplikime. Kërkesa ka pasur edhe nga Austria, Suedia, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera ku jetojnë shtetasit e Kosovës.
Nga aplikimet e aprovuara, rreth 27 mijë qytetarë kanë zgjedhur votimin me postë, afro 9 mijë kanë zgjedhur votimin fizik në ambasada dhe konsullata.
KQZ-ja ka njoftuar se këtë herë votimi fizik do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, numër ky dukshëm më i lartë krahasuar me zgjedhjet e kaluara të 28 dhjetorit, ku procesi ishte zhvilluar në vetëm 29 përfaqësi.
Afati për regjistrim mbetet i hapur deri të dielën, ndërsa subjektet politike kanë kohë deri të martën në mesnatë për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.