Agim Veliu pritet t’i rikthehet garës për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar se Veliu është në mesin e kandidatëve të propozuar nga dega e Podujevës, ndërsa propozimi është bërë publik edhe nga kryetari i kësaj dege, Ekrem Hyseni. Hyseni ka thënë se rikthimi i Veliut synon unifikimin e strukturave dhe mbështetësve të partisë në Llap.
“Le të bashkohemi të gjithë, sepse LDK-ja është e të gjithëve”, ka shkruar ai.
Rikthimi i Veliut vjen pas një periudhe tensionesh brenda subjektit. Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe ish-kryetari i Podujevës kishte mbetur jashtë listës së LDK-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, vendim të cilin ai e kishte cilësuar si një “padrejtësi të pashembullt”.
Pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Veliu kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, si dhe shpalljen e zgjedhjeve të brendshme. Tashmë, me afrimin e procesit të ri elektoral, duket se LDK-ja po tenton të integrojë figurat e vjetra dhe strukturat lokale për një mobilizim më të gjerë.