Kanë mbetur edhe 15 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, por në skenën politike ende nuk ka asnjë sinjal konkret për një marrëveshje mes partive.
Opozita ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është i interesuar për zgjidhje dhe se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, nga Qeveria është deklaruar në vazhdimësi se duhet të arrihet një dakordim politik për të shmangur një proces tjetër zgjedhor.
Aktualisht, koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka 66 deputetë, PDK 22, LDK 15 dhe AAK 6. Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy raundet e para, një shumicë që kërkon një konsensus të gjerë politik. Në garë janë dy kandidatët e propozuar nga Vetëvendosje, të cilët në seancën e 5 marsit nuk arritën të siguronin as kuorumin e nevojshëm për fillimin e procesit të votimit.
Të hënën e kaluar është zhvilluar një takim mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit, por pa ndonjë rezultat konkret. PDK ka kërkuar që një takim i mundshëm Kurti–Hamza të formalizohet përmes një ftese zyrtare, ndërsa Abdixhiku ka bërë të ditur se është takuar edhe me kandidatin e PDK-së, Bedri Hamza. Kryeministri Kurti, deri më tani, nuk e ka ftuar në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Analisti Afrim Kasolli vlerëson se partitë kanë hyrë në një cikël të ndërsjellë shfajësimi, me qëllim krijimin e perceptimit publik se nuk mbajnë përgjegjësi për dështimin e procesit. Sipas tij, edhe qëndrimet e LDK-së po ndikohen nga humbja në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e shtyrë partinë të pozicionohet si faktor “sa më pak fajtor” në këtë ngërç institucional.
Nga ana tjetër, analisti Arbnor Sadiku thekson se përgjegjësia parësore për dështimin aktual i takon Vetëvendosjes, por shton se një proces i ri zgjedhor mund t’i konvenojë LDK-së. Sipas tij, një bashkim i mundshëm mes Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut në një subjekt të vetëm do të ndryshonte raportet politike, duke krijuar një garë më të fortë elektorale ndaj Vetëvendosjes.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 28 prillin si afat të fundit për zgjedhjen e presidentit. Në rast të dështimit, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.