Errët
Ndritshëm

Dy vendime – Dy qëndrime të ndryshme nga Apeli për rastin “1 Milionëshi”

09.04.2026
Furgoni 1

Rasti i 1 milion eurove të kapura në Merdarë ka prodhuar një “ping-pong” vendimesh mes tri instancave gjyqësore, me gjithsej gjashtë vendime brenda pak javësh.

Gjykata e Apelit, në vendimin e fundit të 7 prillit 2026, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj tre të dyshuarve, duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore. Sipas Apelit, provat e paraqitura nga prokuroria nuk arrijnë të dëshmojnë “dyshimin e bazuar” për veprën penale të shpëlarjes së parave.

“Provat e ofruara nuk janë të mjaftueshme për të dëshmuar ekzistimin e dyshimit të bazuar në nivelin e kërkuar nga ligji”, thuhet në arsyetim.

Gjykata vlerëson se nuk është provuar se paratë prej 1 milion eurosh rrjedhin nga aktiviteti kriminal dhe as se të dyshuarit kanë pasur dijeni për to. Sipas Apelit, mosdeklarimi i mjeteve mund të përbëjë vetëm kundërvajtje doganore, jo domosdoshmërisht shpëlarje parash.

Ky vendim vjen pasi Gjykata Supreme e kishte rrëzuar një vendim paraprak të Apelit, duke konstatuar mungesë arsyetimi dhe lidhjeje mes provave dhe veprës penale. Ndryshe, në një vendim të mëhershëm (18 mars), Apeli kishte vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar dhe kishte urdhëruar paraburgimin, duke përmendur rrezikun e arratisjes dhe përsëritjes së veprës.

Rasti nisi më 24 shkurt 2026, kur në pikën kufitare në Merdarë u zbuluan 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni me targa shqiptare. Të dyshuarit kanë mohuar çdo dijeni për paratë, duke deklaruar se ishin në udhëtim nga Gjermania drejt Shqipërisë.

Errët
Ndritshëm