Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni synon të bashkëpunojë me Iranin për të “gërmuar dhe hequr” uraniumin e pasuruar, i cili, sipas tij, mbeti i varrosur pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite gjatë verës së kaluar.
Në një postim në Truth Social, Trump theksoi prerë se “nuk do të ketë pasurim të uraniumit”, duke shtuar se materialet nuk janë prekur që nga sulmet e qershorit. Ai ka përsëritur se SHBA-ja synon ta rimarrë këtë material, një proces që pritet të jetë teknikisht i vështirë dhe politikisht i ndjeshëm, nëse arrihet një marrëveshje me Teheranin.
“Ne po flasim dhe do të flasim për lehtësimin e tarifave dhe sanksioneve me Iranin”, ka deklaruar Trump, duke lënë të kuptohet për një qasje të mundshme negociuese.
Një ditë më parë, ai e kishte cilësuar si “të zbatueshëm” një propozim armëpushimi prej 10 pikash nga Irani. Megjithatë, të mërkurën, Trump sugjeroi se një pjesë e madhe e planit të tij prej 15 pikash – të refuzuar më herët nga Irani – tashmë është pranuar në thelb.
Nga ana tjetër, Irani nuk ka konfirmuar asnjë marrëveshje të tillë dhe nuk ka bërë të ditur nëse do të bashkëpunojë me SHBA-në për nxjerrjen e uraniumit të varrosur. Situata mbetet e paqartë, ndërsa deklaratat e fundit lënë të kuptohet për një përplasje mes narrativave të Uashingtonit dhe Teheranit mbi atë që realisht është arritur në prapaskenë.