Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka reaguar ndaj pretendimeve për matje të gabuara të energjisë elektrike, pas deklaratave se njehsorët faturonin energjinë me tarifë të lartë edhe gjatë natës.
Sipas KEDS-it, të gjithë matësit e energjisë kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare gjatë instalimit, duke siguruar matje të sakta dhe të besueshme. Kompania garanton se tarifat (e ulëta dhe të larta) zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë konsumatorët, dhe se çdo devijim i vogël teknik trajtohet menjëherë nga ekipet e terrenit.
KEDS-i thekson gjithashtu procesin e vazhdueshëm të modernizimit të rrjetit. Gjatë vitit të kaluar janë instaluar mbi 130 mijë njehsorë digjitalë të rinj me qëllim rritjen e saktësisë së matjeve. Kompania u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe palëve të tjera që të shmangen nga deklaratat e paverifikuara dhe politizimi i kësaj çështjeje.
Në komunikatë, KEDS-i përsërit se procesi i matjes së energjisë elektrike mbetet i saktë, transparent dhe i drejtë për të gjithë konsumatorët në vend.