Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik, në një rast që lidhet me realizimin e një projekti infrastrukturor në fshatin Vlashnje.
Sipas aktakuzës, zyrtari i akuzuar, në cilësinë e personit zyrtar dhe anëtarit të organit mbikëqyrës të projektit “Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Vlashnje, rrugët dhe ndriçimi publik”, dyshohet se gjatë periudhës gusht 2022 – 16 gusht 2024, ka tejkaluar kompetencat e tij duke përpiluar raporte të rreme për punimet e kryera.
Prokuroria thekson se në këto raporte dhe situacione fiktive është paraqitur sikur punimet janë realizuar sipas kontratës, ndonëse gjendja reale në terren ka qenë ndryshe. Si rezultat, Komisioni për Pranimin Teknik është vënë në lajthim dhe ka hartuar raportin e pranimit, duke konfirmuar gabimisht përfundimin e punimeve.
Ky veprim ka mundësuar realizimin e pagesave në favor të operatorëve ekonomikë “M.B.G.” Sh.P.K. dhe “A.P.” Sh.P.K., edhe pse punimet nuk ishin kryer sipas kontratës. Sipas Prokurorisë, Komuna e Prizrenit ka pësuar një dëm material në vlerë prej 18,765 eurosh, shumë kjo që konsiderohet përfitim i kundërligjshëm për kompanitë përfituese.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i autorizuar i operatorëve ekonomikë akuzohet se ka bashkëpunuar me zyrtarin për të përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme, duke shkelur procedurat e prokurimit publik dhe duke mos përmbushur detyrimet kontraktuale.
Sipas aktakuzës, përfaqësuesi i kompanive ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa zyrtari i komunës për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.