Një nga të plagosurat në ngjarjen e rëndë që ndodhi të dielën në fshatin Majac të Podujevës, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së hënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Kjo e çon në dy numrin e viktimave nga kjo ngjarje tragjike.
Vdekja e saj u konfirmua nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh:
“Sot, rreth orës 03:35, është raportuar se viktima femër kosovare ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Lidhur me këtë është njoftuar prokurori kompetent nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në IML për obduksion, ndërsa rasti të ricilësohet si vepër penale ‘Vrasje e Rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në raportin policor.
Sipas Policisë, rasti fillimisht u raportua të dielën rreth orës 18:40, pas marrjes së informatës se në një veturë në fshatin Majac ndodhej një person pa shenja jete. Njësitë relevante policore, bashkë me hetuesit, forenzikën, ekipet mjekësore dhe prokurorin kompetent, dolën menjëherë në vendngjarje.
Nga veprimet e para hetimore u konstatua se në vendin e ngjarjes ndodhej një veturë e tipit “VW”, ngjyrë e bardhë me targa lokale, e cila rezultoi të ishte në pronësi të një personi nga Obiliqi. Ekipet mjekësore konfirmuan se personi i gjetur në automjet ishte pa shenja jete.
Policia bëri të ditur se, bazuar në informacionet e siguruara gjatë hetimeve, ekzistonte dyshimi se një grua e armatosur ndodhej brenda një shtëpie dhe refuzonte të komunikonte, duke paraqitur rrezik për veten dhe të tjerët. Në këto rrethana u angazhuan Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim, të cilët ndërhynë në shtëpi dhe vunë situatën nën kontroll.
Brenda objektit u gjetën dy gra me plagë të rënda, por me shenja jete. Atyre u u dha ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas u dërguan për trajtim në QKUK, nën mbikëqyrje mjekësore dhe policore. Ndërkohë, trupi i pajetë i burrit u tërhoq nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme.