Errët
Ndritshëm

Apeli ndryshon vendimin: Paraburgim për tre shtetasit e Shqipërisë që u kapën me 1 milion euro

18.03.2026
Furgoni 1

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit për tre shtetas të Shqipërisë, të cilëve iu gjetën rreth 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni, në pikën kufitare në Merdarë, më 24 shkurt 2026.

Tre të dyshuarit akuzohen për veprën penale “shpëlarje e parave” dhe fshehje të burimit të pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal. Vendimi i Apelit ndryshoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore, e cila kishte refuzuar kërkesën për paraburgim. Apeli vlerësoi se ekziston rreziku i arratisjes dhe i pengimit të procedurës penale.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit tentuan t’i transferojnë paratë duke i fshehur dhe maskuar ato, ndërsa kishin mohuar posedimin e tyre gjatë kontrollit doganor. Në furgon u gjetën 18 pako me kartëmonedha të vlerave të ndryshme.

Të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve, ndërsa kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme.

Errët
Ndritshëm