Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën prej një muaji paraburgim për prindërit e një fëmije pesëvjeçar nga Lipjani, të cilët dyshohen për keqtrajtimin e tij.
Sipas gjykatës, të dyshuarit ngarkohen me veprat penale: “shkelje e detyrimeve familjare” dhe “lëndim i rëndë trupor”.
Fëmija u pranua këte të martë në Emergjencën Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe me ndryshime gangrenoze. Gjendja e tij ishte e rënduar, me dyshime të bazuara për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim. Ai u trajtua nga një ekip multidisiplinar dhe aktualisht është i hospitalizuar në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik.
Policia dhe punëtorët socialë u njoftuan menjëherë pas dyshimeve për keqtrajtim. Fëmija ndodhet nën kujdesin e vazhdueshëm të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, pasi prindërit i janë nënshtruar masës së sigurisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e vizitoi fëmijën të martën, ndërkohë që autoritetet sociale po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen ligjore dhe sociale të tij.