Arian Gashi është zgjedhur sot kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Duke prezantuar prioritetet e tij, Gashi ka theksuar se do të angazhohet për rritjen e bashkëpunimit me anëtarët e Këshillit dhe me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Rreziku për cenimin e parimeve themelore ka qenë i madh. Në fokus të punës sime do të jetë mbrojtja e këtyre parimeve, jo interesave të grupeve të caktuara,” tha Gashi. Ai premtoi gjithashtu rritje të transparencës dhe hapje më të madhe ndaj mediave, duke shtuar se Këshilli Prokurorial nuk duhet të “barrikadohet”, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Gashi siguroi se gjatë mandatit të tij, puna e KPK-së do të udhëhiqet mbi bazën e garancive kushtetuese, me trajtim të barabartë dhe të paanshëm.
Në të njëjtën mbledhje, Dardan Vuniqi është zgjedhur zëvendëskryesues i KPK-së. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur zgjedhjet, duke theksuar rëndësinë e tyre për zbatimin e ndryshimeve të fundit ligjore dhe avancimin e reformës në drejtësi:
“Ky proces shënon një fazë të re për Këshillin Prokurorial dhe dëshmon përkushtimin e institucioneve tona ndaj një sistemi të drejtësisë të pavarur, transparent dhe llogaridhënës,” shkroi Haxhiu në Facebook.