Errët
Ndritshëm

PE: Dialogu Kosovë-Serbi, çelësi për rrugën drejt BE-së”

12.03.2026

Parlamenti Europian ka miratuar një raport të ri mbi strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke rikonfirmuar rëndësinë gjeostrategjike të procesit dhe duke dërguar mesazhe të qarta për vendet që aspirojnë anëtarësimin, përfshirë edhe Kosovën.

Eurodeputetët vlerësuan se kostoja e moszgjerimit do të ishte më e madhe se ajo e pranimit të anëtarëve të rinj, pasi kjo mund të krijonte zona “gri” të cenueshme ndaj ndikimit të huaj armiqësor. Raportti nënvizon se rruga drejt BE-së mbetet e lidhur ngushtë me fqinjësinë e mirë dhe normalizimin e marrëdhënieve përmes Dialogut Kosovë-Serbi.

Dokumenti përforcon rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe Traktatit të Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Raporti përgëzon Shqipërinë dhe Malin e Zi për përparimin e arritur dhe mbështet ambiciet e tyre për përfundimin e negociatave të anëtarësimit: deri në fund të vitit 2027 për Shqipërinë dhe deri në fund të vitit 2026 për Malin e Zi.

Parlamenti Europian thekson se procesi nuk mund të përshpejtohet në mënyrë që të komprometojë integritetin e tij; çdo vend do të vlerësohet sipas meritave dhe nuk do të ketë kompromise për vlerat dhe parimet themelore. Raporti nënvizon nevojën për reforma brenda BE-së dhe vendeve kandidate për të forcuar autonominë strategjike të Europës.

Shqetësim veçanërisht i theksuar është ndikimi në rritje i Kinës në vendet e zgjerimit, përfshirë varësitë ekonomike dhe politike që lindin nga investimet në sektorë kyç.

Sa u përket rezultateve konkrete, raporti përmend uljen e tarifave të “roaming-ut” midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke bërë thirrje për krijimin e Zonës së Vetme Europiane të Pagesave (SEPA) dhe iniciativën “Roam Like at Home”.

Sipas raportit, nga 10 vendet që aspirojnë anëtarësimin, 9 kanë statusin e kandidatit, ndërsa Kosova ende nuk e ka këtë status. Raporti kujton gjithashtu marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, ku kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq ranë dakord për zbatimin e Aneksit të Marrëveshjes Bazike, e cila ende nuk është zbatuar.

Errët
Ndritshëm