Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit, ka njoftuar arrestimin e dy personave të dyshuar për fajde dhe tentativë për tjetërsimin e pronës së një viktime. Sipas njoftimit, dy të dyshuarit janë kapur në flagrancë.
Ata dyshohet se, në vazhdimësi, e kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde. Gjithashtu, të dyshuarit kanë kërkuar marrjen e shtëpisë dhe të dy lokaleve të tij, vlera e të cilave arrin rreth 1 milion euro. Arrestimi ndodhi gjatë përpjekjes së tyre për ta detyruar viktimën të rregullonte dokumentacionin e pronave në emër të dy të arrestuarve.
Sipas njoftimit zyrtar:
“Të dyshuarit, me veprimet e tyre, e kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde dhe, përmes formave të ndryshme të presionit, kanë kërkuar marrjen e pronave të tij në Prizren, vlera e të cilave është rreth 1 milion euro. Ata u arrestuan në flagrancë gjatë tentativës për rregullimin e dokumentacionit të pronës.”
Gjithashtu, Policia ka kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve dhe ka sekuestruar dëshmi materiale që do të përdoren në procedurën penale ndaj tyre. Autoritetet kanë publikuar edhe pamje nga momenti i kapjes së tyre.