Errët
Ndritshëm

IEA miraton lirimin rekord prej 400 milionë fuçish naftë nga rezervat emergjente

11.03.2026
73619320 603

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka miratuar lirimin e 400 milionë fuçive naftë nga rezervat emergjente, për të kompensuar mungesën e furnizimit pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Drejtori ekzekutiv i agjencisë, Fatih Birol, njoftoi se vendet anëtare votuan unanimisht për të nisur lirimin më të madh të rezervave emergjente të naftës në historinë e IEA-s.

“Sfidat në tregun e naftës me të cilat po përballemi janë të pashembullta, prandaj vendet anëtare kanë reaguar me një veprim kolektiv emergjent me përmasa të paprecedenta”, deklaroi Birol.

Sipas agjencisë, rezervat emergjente do të hidhen në treg në një afat kohor që u përshtatet rrethanave të secilit vend anëtar. Kjo është hera e gjashtë që IEA-ja miraton një lëshim të koordinuar të rezervave, pas veprimeve të ngjashme në vitet 1991, 2005, 2011 dhe dy herë në vitin 2022.

IEA-ja bën të ditur se vendet anëtare të saj mbajnë më shumë se 1.2 miliardë fuçi rezerva emergjente. Ky vendim vjen pasi Irani paralajmëroi për dyfishim të çmimit të naftës dhe pas sulmeve ndaj anijeve komerciale në Ngushticën e Hormuzit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë përbëhet nga 31 vende anëtare, mes tyre: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Turqia, Kanadaja, Meksika, Korea e Jugut dhe Japonia.

Errët
Ndritshëm