Errët
Ndritshëm

Hetuesja në Prishtinë përfundon me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

09.03.2026

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një hetueseje policore me inicialet F.B., nën dyshimin për veprën penale “keqpërdorim i informatës zyrtare”.

Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pasi e dyshuara, në cilësinë e hetueses në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur, dyshohet se ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme informatat zyrtare në të cilat kishte qasje për shkak të detyrës së saj.

Sipas aktakuzës, me kërkesë të një miku të saj me inicialet A.P., ajo është kyçur përmes llogarisë zyrtare në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës dhe ka siguruar të dhënat personale dhe të kaluarën kriminale të një personi me inicialet F.M.

Prokuroria thotë se këto të dhëna ajo ia ka dërguar përmes aplikacionit WhatsApp personit A.P., i cili më pas dyshohet se i ka publikuar ato në një emision televiziv më 20 dhjetor 2025, me qëllim diskreditimin e personit të dëmtuar.

Prokuroria ka theksuar se do të vazhdojë punën në luftimin e dukurive të tilla dhe në mbrojtjen e informatave konfidenciale që kanë ndikim në jetën e qytetarëve.

Errët
Ndritshëm