Situata politike në Kosovë ka marrë një kthesë dramatike pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin, një lëvizje që ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare dhe një luftë të re institucionale brenda vendit.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras , nuk i ka kursyer kritikat ndaj zhvillimeve të fundit në Prishtinë. Përmes një reagimi në platformën “X”, Terras e ka cilësuar dështimin për zgjedhjen e presidentit të ri si një “pengesë serioze” që e zhyt vendin në pasiguri.
“Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidentin. Kjo është një pengesë serioze. Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, ka deklaruar Terras.
Mëngjesin e 6 marsit, Presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin vetëm pak orë pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, duke shkaktuar një “tërmet” politik. Ky vendim i ka ndarë palët në dy taborre: opozita e mirëpriti dekretin si rrugëdalje drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi antikushtetues dhe e dërgoi menjëherë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Përveç përplasjes politike, alarmi është ndezur edhe nga njohësit e çështjeve juridike dhe politike në vend. Shumë prej tyre vlerësojnë se shpërndarja e Kuvendit në këto rrethana cenon parimet bazë të Kushtetutës, duke e lënë fatin e stabilitetit të vendit në duart e gjyqtarëve kushtetues.
Kosova tashmë gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm: Mes thirrjeve për zgjedhje të parakohshme dhe pritjes së verdiktit nga Gjykata Kushtetuese, që pritet të jetë “vula” përfundimtare mbi këtë krizë të paprecedentë.