Errët
Ndritshëm

Gjykata e Prishtinës refuzon paraburgimin për tre të dyshuarit me 1 milion euro në furgon

28.02.2026

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, tek të cilët doganierët dhe policia kufitare gjetën rreth 1 milion euro të fshehura në një furgon që hynte nga Serbia më 24 shkurt 2026 në pikën kufitare Merdarë.

Vendimi, i marrë nga gjyqtari Leon Përlaska, bazohet në faktin se Prokuroria nuk ka dorëzuar prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar për veprën penale. Në kërkesë mungonin dokumentet kyçe, si procesverbali i kontrollit të automjetit dhe vërtetimet për konfiskimin e mjeteve monetare, si dhe nuk kishte prova për elementin subjektiv të veprës.

Gjykata vlerësoi kallëzimin penal dhe raportin e Doganës, por konstatoi se ato janë thjesht akte inicimi dhe nuk mund të konsiderohen prova të bazuara. Sipas ligjit, kur Prokuroria nuk vërteton dyshimin e bazuar, gjyqtari është i detyruar të lirojë të pandehurit.

Mbrojtësi i njërit nga të dyshuarit, avokati Fitim Bunjaku, tha se nuk ekzistojnë kushtet për caktimin e paraburgimit. Vetë i dyshuari deklaroi se nuk ka pasur dijeni për paratë dhe se ishte thjesht vozitës i furgonit.

Prokuroria dyshon se shumën prej 1 milion eurosh e kanë fituar përmes aktivitetit kriminal.

Errët
Ndritshëm