Një i burgosur me inicialet F.M. është arratisur mëngjesin e sotëm nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku ndodhej për trajtim në repartin e Onkologjisë. Ai ishte dërguar nga Qendra Korrektuese në Dubravë më 16 shkurt 2026 dhe po qëndronte në dhomën 2, katin e dytë, së bashku me pacientë të tjerë.
F.M. ishte i dënuar për vjedhje të rëndë dhe po vuante një dënim katërvjeçar, me datë të parashikuar lirimi më 8 qershor 2029.
Pas arratisjes, Policia e Kosovës është vënë menjëherë në kërkim, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës ka formuar një komision hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e rastit dhe për të identifikuar ndonjë shkelje të mundshme nga zyrtarët korrektues.
Si masë e menjëhershme, dy zyrtarë korrektues janë pezulluar deri në përfundim të hetimeve. Pas pranimit të raportit të komisionit, do të ndërmerren masat përkatëse bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e hetimit.