Nënkryetari i Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Fatmir Sopi, ka bërë të ditur se mbi 22 mijë persona e kanë nënshkruar deri tani peticionin elektronik gjithëkombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Peticioni ka të bëjë me rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që ata i kanë mohuar.
Sopi tha se peticioni është hapi i radhës pas protestave, takimeve me diplomaci të shteteve mike dhe adresimit në Parlamentin Evropian. Sipas tij, ekzistojnë dy forma të nënshkrimit – fizike dhe online – ndërsa forma elektronike tashmë ka kaluar shifrën prej 22 mijë nënshkrimeve.
Ai theksoi se nuk ka kufi të caktuar për numrin e nënshkrimeve dhe se synimi është që ato të arrijnë në “qindra mijëra”, para dorëzimit të peticionit në Dhomat e Specializuara të Kosovës më 15 prill, para shpalljes së aktgjykimit.
Sopi ka komentuar edhe rastin e ri për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit, duke pretenduar se përgjimet përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut dhe se të akuzuarve duhet t’u garantohet e drejta për komunikim me familjarët.
Në procesin kryesor, Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se akuzat nuk janë provuar. Trupi gjykues pritet ta shpallë aktgjykimin deri në fund të qershorit.