Errët
Ndritshëm

Kosova kryeson rajonin për sigurinë personale në vitin 2025

26.02.2026
Auto Capture 1021613547478

Sipas raportit rajonal “SecuriMeter 2025”, i publikuar nga Regional Cooperation Council, 64% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt, duke e renditur vendin më lart në rajon për perceptimin e sigurisë personale.

Raporti tregon se besimi në polici është 70.6%, ndërsa në ushtri 74.6%, ndërsa 58.4% e qytetarëve e konsiderojnë Kosovën vend të sigurt për të jetuar. Gjithashtu, 80.5% nuk planifikojnë të emigrojnë, duke reflektuar stabilitet dhe besim në institucionet e vendit.

Kosova ka nivelin më të ulët të shqetësimit lidhur me qeverisjen, korrupsionin dhe ndikimet e jashtme krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Qytetarët e vendit shprehin gjithashtu besim të lartë në integrimin euro-atlantik, me 71% që mbështesin anëtarësimin në BE dhe 90.8% në NATO.

Sondazhi “SecuriMeter 2025” përfshiu 6,007 të anketuar në Kosovë, Shqipëri, Mali të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë. Në krahasim rajonal, Kosova (58.4%), Mali i Zi (54.8%) dhe Maqedonia e Veriut (54.6%) raportojnë nivelin më të lartë të sigurisë së brendshme, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina shënon nivelin më të ulët (32.5%).

Raporti ndërkombëtar Gallup Global Safety Report 2025 rendit Kosovën e para në Evropë dhe të tretën në botë për ndjenjën e sigurisë dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit, me 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, pas Taxhikistanit (97) dhe Singaporit (95).

Errët
Ndritshëm