Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 22 vjet burgim A.S., i akuzuar për vrasjen e V.B. në supermarketin “Interex” në Podujevë, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2023.
Aktgjykimi u shpall më 26 shkurt 2026 nga gjyqtarja Fatime Dërmaku. I dënuari është obliguar të paguajë 200 euro shpenzime procedurale dhe 50 euro për Fondin e Viktimave të Krimit, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil. Kundër vendimit lejohet ankesë brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Sipas aktakuzës, A.S. në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur, për motive hakmarrjeje pas një konflikti të mëhershëm, organizoi vrasjen e V.B. brenda marketit, në prani të bashkëshortes dhe fëmijës 4-vjeçar të viktimës.
Ngjarja ndodhi më 11 shtator 2023, rreth mesditës. Sipas Prokurorisë, i mituri ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të V.B., duke i shkaktuar vdekjen në vend, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur dhe u dërgua për trajtim në QKUK.
Pas rastit, i mituri u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa A.S. u arrestua në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik. Gjatë bastisjes, Policia sekuestroi armë dhe municion.