Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar të enjten importin e 21,280 kilogramëve koncentrat për pije, pasi është konstatuar se produkti kishte afat të skaduar.
Sipas njoftimit zyrtar, pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik të mallit nga Inspektorati Fitosanitar, është vërejtur se koncentrati për pije (lëng portokalli – 65 përzierje aseptike konvencionale), i eksportuar nga kompania ProdalimBV me seli në Rotterdam të Holandës, nuk i plotësonte kushtet për hyrje në tregun e Kosovës për shkak të skadimit të afatit.
Produkti ishte importuar në Kosovë nga kompania Laberion SH.P.K..
“Është refuzuar importi i një sasie prej 21,280 kg koncentrat pije (…) Ky vendim është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore, i cili përcakton se produktet me afat të skaduar paraqesin rrezikshmëri të lartë për konsumatorët dhe, si të tilla, nuk lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
AUV ka theksuar se monitorimi i zinxhirit ushqimor do të vazhdojë me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve që hyjnë në tregun vendor.