Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Xh.Sh, i akuzuar për dhunim ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, i dyshuari, përmes forcës dhe kanosjes me armë, ka detyruar gruan e tij të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj. Përveç dhunimit, Xh.Sh. ngarkohet edhe me veprat penale “dhunë në familje” dhe “armëmbajtje pa leje”.
“Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, i cili dyshohet se ka kryer tri vepra penale: ‘Dhunimi’, ‘Dhuna në familje’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Ai dyshohet se përmes forcës dhe kanosjes me armë ka detyruar viktimën të kryejë aktin seksual, duke kryer veprat penale të lartcekura,” thuhet në njoftim.
Nga bastisja e bërë një ditë më parë në shtëpinë e të dyshuarit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe fishekë.
Hetimet ndaj të dyshuarit vazhdojnë, ndërsa gjykata do të vendosë për masën e paraburgimit.