Presidenti i FC Barcelona, Joan Laporta, ka folur hapur për një nga kapitujt më të dhimbshëm në historinë moderne të klubit, largimin e Lionel Messi.
“Nuk doja vetëm t’ia rinovoja kontratën, por doja t’i bëja edhe homazhin që meriton madje edhe t’i ngrihej një statujë. Leo e meriton këtë. Ne bëmë përpjekje serioze për ta rikthyer në vitin 2023, por ai vendosi të bashkohej me Inter Miami CF. Klubi e respektoi vendimin e tij,” u shpreh Laporta.
Sipas tij, lidhja mes Messit dhe Barcelonës është e përjetshme:
“Ne i dhamë shumë Leos dhe ai i dha edhe më shumë Barcelonës. Ai meriton një ndeshje lamtumire. Është një figurë ikonike, që meriton një monument pranë legjendave si László Kubala dhe Johan Cruyff.”
Laporta pranoi se kishte një periudhë tensionesh dhe vështirësish në raportin mes palëve. Ai beson se Messi kishte dëshirë të qëndronte, por situata financiare e klubit e bëri të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit.
“Ishte një moment shumë i vështirë. Jam i bindur se Leo donte ta vazhdonte kontratën, por kishte njerëz rreth tij që nuk ishin kundër një transferimi te Paris Saint-Germain F.C., sidomos për shkak të ofertës tërheqëse që u bë. Ne luftuam deri në fund, por realiteti ekonomik i Barcelonës nuk na lejoi ta mbanim.”
Në fund, Laporta e përshkroi atë periudhë si një nga më të errëtat për klubin:
“Jeta gjithmonë ofron mundësi të reja, por ajo situatë ishte sinqerisht e tmerrshme.”