Rreth 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni janë zbuluar nga zyrtarët e Doganes së Kosovës dhe Policisë Kufitare në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
Sipas njoftimit më 24.02.2026, automjeti u selektua për kontroll të detajuar në hyrje të Kosovës, bazuar në analizën e riskut. Gjatë skanimit me rreze X u evidentuan indikacione për një hapësirë të modifikuar në dysheme. Pas asistimit me pajisje fibroskopike nga Policia Kufitare, u konfirmua prania e mjeteve monetare të padeklaruara.
Dogana ka bërë të ditur se njësitë hetimore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është njoftuar prokurori, ndërsa rasti është në procedurë të mëtejme.
Sipas këtij institucioni, përdorimi i teknologjisë së avancuar si skanerët X-Ray mbetet kyç në zbulimin e kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare.