Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar organizimin e një proteste paqësore më 17 shkurt, në ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu”, me moton “Drejtësi, jo politikë!”.
Konferenca për media u mbajt sot në Prishtinë dhe ishin prezent Ismail Tasholli, Eliza Hoxha dhe Arbnore Zogjani Halili. Fjalimet u mbajtën nga Tasholli dhe Hoxha, të cilët theksuan se data e protestës është simbolike, pasi përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Platforma vlerëson se procesi gjyqësor në Hagë, pas më shumë se pesë vitesh, ka krijuar shqetësime serioze në opinionin publik. Zvarritja e procedurave, informacionet kontradiktore dhe perceptimi i ndikimit politik kanë cenuar besimin qytetar në drejtësi.
“Ne kërkojmë verdikt juridik, jo politik. Vendime të bazuara në prova dhe ligj, jo në presione apo skenarë,” thanë përfaqësuesit e platformës.
Protesta e 17 shkurtit do të jetë paqësore dhe dinjitoze, dhe qytetarët ftohen të marrin pjesë qetësisht, me pankarta dhe mesazhe që përcjellin kërkesën kryesore: drejtësia nuk duhet të shndërrohet në mjet politik.
Më 17 shkurt, qytetarët do të dalin në shesh për të rikujtuar një parim themelor: drejtësia është shtyllë e çdo shoqërie të qytetëruar. Drejtësi, jo politikë!