Errët
Ndritshëm

Miliona euro dëm në buxhet, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj 12 personave

31.12.2025

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Prokuroria thekson se A.M. dhe N.D., në periudhën 02.04.2019–11.03.2021, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 1,824,970.00 euro.

Ndërkaq, nga 26.10.2020 deri më 27.11.2023, disa prej të pandehurve “kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut”, duke shkaktuar dëm prej 2,148,282.35 euro.

Po ashtu, në kundërshtim me kushtet e kontratës, është lejuar dorëzimi i produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, çka sipas aktakuzës ka sjellë dëm shtesë prej 3,626,243.80 euro.

Errët
Ndritshëm