Errët
Ndritshëm

Skemë korrupsioni me dëm milionësh, kërkohet paraburgim për 7 persona

20.12.2025

Prokuroria Speciale ka kërkuar masë paraburgimi për shtatë persona të arrestuar nën dyshimin për korrupsion, ndërsa seanca për caktimin e masës po mbahet të shtunën në Gjykatën Themelore.

Sipas kërkesës për paraburgim, të dyshuarit dyshohet se me vetëdije kanë shkelur ligjin, duke cenuar sigurinë juridike të qytetarëve dhe duke i shkaktuar shtetit të Kosovës dëm të rëndë financiar dhe institucional, si dhe përfitime të kundërligjshme personale.

Prokuroria thotë se të dyshuarit synonin përfitime të kundërligjshme përmes kompensimeve për pronat e shpronësuara, duke shkelur ligjet për shpronësim dhe duke proceduar ankesa jashtë afateve ligjore.

Sipas hetimeve, vetëm në një rast dëmi i shkaktuar shtetit kap vlerën mbi 220 mijë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm dyshohet se arrin shifra milionëshe.

Në dokumentet e Prokurorisë thuhet se të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., S.T., N.K. dhe G.Ll., duke vepruar në bashkëkryerje, gjatë periudhës nga shkurti i vitit 2023 deri në dhjetor të vitit 2025, kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme për përfitim të kundërligjshëm.

Sipas Prokurorisë, njëra nga të pandehurat ka paraqitur propozim-ankesë edhe pse afati ligjor ishte tejkaluar për më shumë se tetë vjet, ndërsa rasti më pas është mbyllur me ujdi gjyqësore.

Si pasojë, më 9 dhjetor 2025, nga thesari i shtetit është ekzekutuar pagesa prej 220 mijë eurosh, ku shumica e mjeteve dyshohet se janë shpërndarë te të pandehurit e tjerë në forma të ndryshme transferesh.

“Si rezultat i këtyre veprimeve, të dyshuarit kanë përfituar shuma të konsiderueshme financiare, duke dëmtuar drejtpërdrejt buxhetin e shtetit”, thuhet në dokumentet e Prokurorisë.

Ndaj të dyshuarve rëndojnë veprat penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit dhe deklarimet e rreme.

Shtatë të dyshuarit janë arrestuar më 18 dhjetor gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Errët
Ndritshëm