Errët
Ndritshëm

Kërcënime të hapura nga luftëtarë serbë, rrezik për paqen në Bosnjë

15.12.2025

Një gjeneratë e re nacionalistësh serbë po përgatitet për konflikte të reja në Bosnjë, paralajmëron mediumi britanik The Telegraph. Sipas këtij raportimi, qindra militantë serbë kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar përkrah forcave ruse, me bindjen se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë duke ndihmuar në rikthimin e territoreve të humbura, përfshirë Kosovën.

Veteranë të luftërave të viteve ’90, përfshirë ish-pjesëtarë të njësive paraushtarake, po përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar të rinj serbë. Për luftëtarët ofrohen pagesa deri në 23 mijë funte, ndërsa ekziston frikë serioze se kthimi i tyre në Bosnjë mund të nxisë destabilizim dhe dhunë paramilitare, tri dekada pas luftës.

Një nga rastet e përmendura është Dario Ristiq, nacionalist serb që u plagos në Ukrainë duke luftuar në një njësi ruse. Në një video të publikuar në Telegram, ai shfaqet duke kërcënuar hapur me konflikte të reja, duke deklaruar: “Sapo të mbarojmë me këta fashistë të NATO-s këtu, do të kthehemi për ta rifituar atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi- drejt fitores.”

Ristiq u arrestua pas kthimit në Bosnjë për pjesëmarrje në formacione të huaja paraushtarake, por më pas u lirua dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak në pritje të gjykimit. I kontaktuar nga The Telegraph, ai u shpreh shkurt: “Do të doja të flisja, por ligji më ndalon. Ndoshta në të ardhmen.”

Analistët paralajmërojnë se edhe pse numri i këtyre ekstremistëve është relativisht i vogël, ndikimi i tyre tek të rinjtë e papunë dhe të pakënaqur politikisht është i rrezikshëm. Sipas The Telegraph, Republika Srpska rrezikon të shndërrohet në një terren rekrutimi dhe stërvitjeje paramilitare, me pasoja serioze për sigurinë rajonale.

Errët
Ndritshëm