Errët
Ndritshëm

Autobusi ndalohet në Vërmicë, zbulohen mallra të padeklaruara me vlerë 5 mijë euro

12.12.2025

Një autobus është ndaluar në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, ku gjatë kontrollit në vijën e dytë doganierët kanë gjetur mallra të padeklaruara me vlerë rreth 5,100 euro, ndonëse vozitësi kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për deklarim.

Sipas Doganës së Kosovës, në autobus janë gjetur aksesorë dhe pajisje sportive, produkte kozmetike të markave të njohura dhe produkte për fëmijë, të gjitha pa dokumentacion përkatës.

“Vozitësi nuk posedonte faturë apo dokumentacion për mallrat në fjalë, prandaj ndaj tij është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme”, thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.

Dogana apelon te udhëtarët dhe transportuesit që të deklarojnë çdo mall që posedojnë gjatë kalimit kufitar, për të shmangur masa ndëshkuese dhe vonesa në kontrolle.

Errët
Ndritshëm