Kryetari i OAK, Besnik R. Berisha, dhe Nënkryetari, Naim Rudari, kanë vërejtur pajisje incizimi që ngjasojnë me kamera artizanale në disa dhoma të Policisë, ku zhvillohen intervistat dhe konsultat konfidenciale ndërmjet avokatëve dhe klientëve.
Sipas Policisë së Kosovës, “pajisjet janë instaluar rreth tre vite më parë si pjesë e një projekti zyrtar për sistemet audio/video në dhomat e intervistimit, nuk janë funksionalizuar, nuk kanë gjeneruar incizime dhe nuk përbëjnë pajisje ilegale”.
Megjithatë, OAK thekson se mungesa e shenjave identifikuese dhe njoftimit paraprak krijon pasiguri të justifikuar dhe rrezikon standardet e konfidencialitetit. Oda i bën thirrje avokatëve të jenë vigjilentë dhe të shmangin konsultime konfidenciale në hapësira ku ekziston dyshim mbi sigurinë teknike ose privatësinë e bisedës, duke theksuar përkushtimin për mbrojtjen e standardeve profesionale dhe të drejtave procedurale.