Kompania sllovene CETIS, e cila kishte printuar me gabime fletëvotimet e balotazhit të 9 nëntorit, është përzgjedhur sërish nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
CETIS do të printojë fletëvotimet dhe broshurat e kandidatëve për deputetë, me një kontratë mbi 275 mijë euro. Ftesa për ofertim i ishte dërguar 6 operatorëve, por vetëm CETIS & CETKOS kanë dorëzuar ofertë të vlefshme sipas KQZ-së.
KQZ-ja ka njoftuar se janë ndërmarrë masa ndaj kompanisë për gabimet e mëparshme, përfshirë dënime ekzekutive, dhe se janë vendosur kontrolla shtesë për të parandaluar gabime të reja, përfshirë shtypjen e QR Code-ve për kodet e vendvotimit.
Gabimet në fletëvotimet e balotazhit kishin shkaktuar diskutime dhe dyshime, veçanërisht në Mitrovicë. Raporti i kompanisë evidentoi se 1,874 fletëvotime, të shpërndara në 18 komuna, ishin printuar me gabime.