Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se protesta e radhës kundër, siç e quajnë ata, padrejtësive në Hagë, do të mbahet më 13 dhjetor, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, nga ora 13:00. Gazmend Syla tha se protesta është dakorduar me organizatat e veteranëve në Maqedoninë e Veriut dhe se kanë marrë mbështetjen e Ali Ahmetit.
Ai tha se procedurat janë ndjekur njësoj si në protestat e mbajtura më parë në Shqipëri dhe në Hagë, por se ende nuk kanë marrë lejen nga autoritetet maqedonase për përdorimin e hapësirës publike.
Kryeministri Hristjan Mickoski ka kundërshtuar mbajtjen e protestës, duke e cilësuar si “lëvizje të gabuar të Ali Ahmetit” dhe duke thënë se shpreson që VLEN të mos e mbështesë. Ai tha se protesta po përdoret për mobilizim politik dhe do ta vështirësojë gjetjen e partnerëve të ardhshëm të koalicionit.
OVL e UÇK-së i ka quajtur deklaratat e Mickoskit “përçarëse”. Syla tha se Maqedonia e Veriut, si shtet që synon anëtarësimin në BE, duhet të garantojë të drejtën për protestë dhe të mos krijojë pengesa. Ai theksoi se protestat e veteranëve janë mbajtur edhe në vende të tjera dhe se nuk kanë synuar të ndërhyjnë në proceset e brendshme të asnjë shteti.