Në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok sot janë mbajtur seancat konstituive ku kryetarët e rinj të Listës Serbe kanë marrë zyrtarisht detyrat nga kryetarët shqiptarë. Betimet janë zhvilluar në sallat e kuvendeve komunale, ku kanë qenë të vendosura simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.
Në Leposaviq është betuar edhe kryetari i ri, Zoran Tadiq. Në sallë, ashtu si në komunat e tjera veriore, kanë qenë të vendosur flamuri i Kosovës dhe fotografia e presidentes Vjosa Osmani, ndërsa para komunës kanë qëndruar njësitë e Policisë së Kosovës, automjete të KFOR-it, EULEX-it dhe OSBE-së.
Në Mitrovicën e Veriut është betuar Milan Radojeviq, që pason Erden Atiqin. Ai nënshkroi dokumentet zyrtare me simbolet e Republikës së Kosovës, duke deklaruar se “do të punojë për interesin e qytetit”.
Seanca inauguruese ka pasur tension të lehtë, pasi anëtari serb Marko Jakshiq pretendoi se në sallë kishte policë civilë dhe se ndjehej i frikësuar. Pretendimet e tij u kundërshtuan menjëherë nga asamblistët shqiptarë. Aida Ferati-Doli nga LVV tha se në sallë nuk kishte policë dhe se askush nuk kishte arsye për frikë, ndërsa Emir Azemi i PDK-së i kërkoi Jakshiqit të mos e politizojë situatën, duke theksuar se seanca ishte thirrur vetëm për betimin dhe konstituimin e kuvendit.