Errët
Ndritshëm

Gjykata Speciale vazhdon paraburgimin për Thaçin dhe të tjerët

04.12.2025

Gjykata Speciale ka njoftuar se Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut u është vazhduar masa e paraburgimit. Sipas vendimit të 3 dhjetorit 2025, gjykatësi Gosnell vlerësoi se ekziston rrezik real që të akuzuarit të pengojnë procesin gjyqësor ose të kryejnë vepra të tjera penale nëse lirohen.

Aktakuza kundër tyre, e bërë publike më 6 dhjetor 2024, ka kaluar disa rishikime. Më 3 prill 2025, Gjykata e Apelit pranoi pjesërisht ankesën e ZPS-së dhe riktheu çështjen për rishqyrtim, duke hapur rrugë për një formë të re përgjegjësie penale ndaj Thaçit sipas nenit 32(3) të Kodit Penal. Kjo u konfirmua nga gjykatësja e procedurës paraprake më 14 prill 2025.

Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2023, Thaçi u ka dhënë të pandehurve tjerë informacione konfidenciale për dëshmitarë të ZPS-së dhe udhëzime se si të ndikojnë në dëshmitë e tyre. Prokuroria pretendon se ai ka koordinuar tri grupe të ndryshme me synimin për të ndikuar procesin gjyqësor.

Arrestimet e reja u kryen më 5 dhjetor 2024, pasi aktakuza u konfirmua kundër pesë personave: Thaçit, Smakajt, Fazliut, Kuçit dhe Kilajt. Të gjithë u paraqitën para gjykatës më 8 dhe 9 dhjetor. Thaçi dhe të tjerët u vetëdeklaruan të pafajshëm në janar 2025.

Gjatë vitit 2025, palët dorëzuan dosjet paraprake, ndërsa më 12 nëntor 2025 gjykatësja e procedurës paraprake e kaloi zyrtarisht dosjen tek gjykatësi i vetëm që do të shqyrtojë çështjen në gjykim.

Errët
Ndritshëm