Errët
Ndritshëm

SHBA-së i kërkohet presion ndaj Serbisë dhe anëtarësim i Kosovës në NATO

03.12.2025

Administrata e presidentit Donald Trump është thirrur për angazhim më serioz në Ballkanin Perëndimor, pasi në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve u fol hapur për rritjen e rrezikut në rajon. Deputetët amerikanë kërkuan që raporti Kosovë–Serbi të trajtohet me më shumë balancë, e jo duke kërkuar përgjegjësi vetëm nga Kosova, si dhe që Serbisë t’i shtohet presioni ndërkombëtar.

U kërkua haptas që Kosova të anëtarësohet në NATO, ndërsa Serbia të detyrohet të ndalë fushatat e çnjohjeve, pengesat diplomatike dhe të shkëputet nga ndikimi rus.

Gjatë diskutimeve u theksua se Rusia, përmes Serbisë, mbetet faktori kryesor destabilizues i rajonit.

Kryetari republikan i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, e quajti Ballkanin Perëndimor “rajonin më të paqëndrueshëm në Evropë” pas agresionit rus në Ukrainë. Ai theksoi se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë motori kryesor i krizës rajonale, të cilin Rusia e shfrytëzon mjeshtërisht.

Self paralajmëroi se kundërshtarët e SHBA-së po zhvillojnë luftë hibride në Ballkan, ndërsa Kina po depërton me stërvitje ushtarake, dërgesa armësh dhe marrëveshje ekonomike, duke e mbajtur rajonin në ndikimin e saj “keqdashës” dhe duke shfrytëzuar korrupsionin lokal.

Ai e përshkroi Ballkanin si një rajon të lënë pas dore, por ku ende ekziston mundësia për ndryshim, me kusht që SHBA-ta të marrë lidershipin e stabilitetit dhe të parandalojë rikthimin e konflikteve.

Errët
Ndritshëm