Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj A.Z. dhe B.D., për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 1998-1999, të pandehurit “kanë ndërmarrë një fushatë arrestimesh ndaj popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës” si pjesë e forcave policore serbe në Prizren.
“Në mesin e të arrestuarve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh dhe A.Z, të cilët gjatë procesit të marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, janë rrahur me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ku si pasojë R.J kishte vdekur, ndërsa personat e tjerë kishin pësuar lëndime serioze trupore,” thuhet në njoftim.
Prokuroria ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, “pasi të pandehurit A.Z dhe B.D. janë të paarritshëm për organet e drejtësisë”.