Errët
Ndritshëm

Vazhdon greva: Autobusët e Trafikut Urban bllokojnë rrugët

01.12.2025

Protesta e punëtorëve të Trafikut Urban në kryeqytet vazhdon edhe të hënën, para objektit të Komunës së Prishtinës

Qytetarët tash e një javë nuk po mund të përdorin trafikun urban, për shkak të borxheve që Komuna ka ndaj operatorëve të transportit.

Edhe pse të enjten Kuvendi Komunal miratoi bartjen e mjeteve vetjake, përfaqësuesit e trafikut urban dhe privat paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë derisa paratë të hyjnë në llogaritë bankare.

“Ne jemi në grevë derisa të alokohen 2.7 milionë euro të borxhit të mbetur. 680 mijë euro u dhanë së fundmi, pjesa tjetër ende nuk është paguar. Kur të hyjnë mjetet, do të fillojmë punën”, tha Ilmi Gashi nga sindikata e transportuesve.

Izet Smajli, kryetar i shoqatës “Uni Trans”, tha se protesta do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:00 deri sa të përfundojë alokimi i mjeteve dhe pagesa të kalojnë në xhirollogaritë e kompanive. Ai theksoi se vendimi i Kuvendit duhet të shkojë në Ministrinë e Financave, e cila duhet të alokojë 28 milionë euro nga buxheti i vitit 2025.

Autobusët janë vendosur para Komunës si shenjë proteste, ndërsa kryeshefi i “Trafikut Urban”, Qëndrim Vitija, kërkoi pagesën e të gjithë borxhit për t’u mundësuar vazhdimin e shërbimeve.

“Pa mjetet nuk mund të ofrojmë shërbime. Duam që të paguhet deri te fatura e tetorit, pasi faturën e nëntorit ende nuk e kemi dorëzuar. Kur të bëhet kjo, gjithçka do të jetë në rregull”, tha Vitija.

Errët
Ndritshëm