Personi që një ditë më parë ishte raportuar i zhdukur është gjetur pa shenja jete në pendën e fshatit Livoç të Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes zëdhënësit të saj në rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Sipas tij, trupi i pajetë është lokalizuar të premten rreth orës 12:45 nga ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat po vazhdonin kërkimet intensive që nga momenti i raportimit të zhdukjes.
“Gjatë operacionit të kërkimit, ekipet e FSK-së kanë gjetur trupin e personit të raportuar si i zhdukur më 27.11.2025. Vdekja është konstatuar në vendngjarje nga ekipi mjekësor. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion,” ka deklaruar Osmani.
Në raportin 24-orësh të Policisë ishte bërë e ditur se zhdukja e tij ishte raportuar nga vëllai, i cili kishte gjetur veturën e viktimës bashkë me disa rroba dhe telefonin e tij pranë pendës së fshatit Livoç.
Hetimet rreth rastit po vazhdojnë.