Protesta e transportuesve publikë dhe privatë në Prishtinë, vazhdon sot. Autobusët e “Trafikut Urban” dhe linjave private, te henen u vendosen pranë Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, kërkoi përgjegjësi nga Komuna e Prishtinës për borxhet e akumuluara ndaj ndërmarrjes. Nga dita e dytë e protestës, ai kërkoi falje qytetarëve për ndërprerjen e shërbimeve dhe theksoi se komuna duhet të marrë përgjegjësinë për shlyerjen e borxhit.
“Komuna është borxhli i Trafikut Urban me 3.2 milionë euro”, tha Gashi, duke shtuar se nga kjo shumë që Ministria e Financave ia ka alokuar komunës, ajo komuna ka ndarë vetëm 600 mijë euro për ndërmarrjen.
Sipas tij, kjo shumë nuk mbulon as shpenzimet bazë: një milion euro borxh për naftë, 800 mijë euro për paga dhe 100 mijë euro për sigurim shëndetësor. Ai akuzoi komunën për mospërgjigje dhe theksoi se ministria është e gatshme të alokojë mjete shtesë sapo komuna të marrë vendimin për bartjen e të hyrave vetanake për vitin 2024.
“Jemi sektor publik dhe kërkojmë që komuna të dalë para punëtorëve dhe të marrë përgjegjësinë”, përfundoi Gashi.