Qeveria Kurti, përmes Ministrisë së Arsimit të udhëhequr nga Arbërie Nagavci, i ka dhënë një tender prej 80 mijë eurosh kompanisë Dukagjini, në pronësi të Ekrem Llukës, për furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e diasporës.
Kontrata, të cilën e ka parë Shënjestër, është nënshkruar më 24 tetor të këtij viti, teksa është dhënë përmes procedurës së negociuar, pa konkurrencë. Kriteri kryesor për dhënie ishte çmimi më i ulët.

Kompania obligohet të sjellë në Prishtinë mbi 7 mijë pako libra, çmimi i të cilave varion nga 7.56 euro deri në 12.15 euro. Tekstet përfshijnë libra si abetarja, gjuha shqipe dhe kultura shqiptare. Kontrata është publike kornizë, që do të thotë se Ministria paguan vetëm për porositë që janë të nevojshme.
Shenjester ka kërkuar sqarime mbi mënyrën se si Dukagjini u zgjodh dhe arsyet e mungesës së konkurrencës, por as Ministria dhe as kompania nuk kanë kthyer përgjigje deri ne publikimin e storjes.
Trashja e xhepit të Ekrem LLukës mundësohet shkaku se kompania e tij Dukagjini kishte fituar të drejtën ekskluzive për botimin e abetares së përbashkët në vitin 2022, kohën e qeverisjes së Kurti 2.
Ligji për Prokurimin Publik mundëson përdorimin e procedurave negociuese pa shpalljen e një njoftimi në disa raste.
Lidhjet e Ekrem Llukës me politiken janë kritikuar më herët.
Ai është akuzuar nga Memli Krasniqi, ish-kryetar i PDK-së, si oligark i lidhur me Vetevendosjen.
Në anën tjetër, para dy vitesh, Dejona Mihali, kordinatorja e VV-së, e kishte quajtur Llukën “një nga përfituesit e biznesit me libra”. Postimi i saj në Facebook, i bërë në kohën kur u ndryshua mënyra e furnizimit me tekste shkollore për nxënësit, u fshi më vonë. Gjurmët, sidoqoftë, mbeten në media. Kontakti me vete biznesmenin Lluka qe i pamundur.
Tenderi 80 mijë eurosh nuk është i pari që Dukagjini merr nga shteti. Më 2021, kompania pati fituar një tender prej 3.5 milionë eurosh për libra parauniversitarë, i cili po ashtu u negociua direkt.
Ekrem Lluka është pronar i kompanisë “Dukagjini Sh.p.k”, e cila zoteron 80% të aksioneve të “Radio Televizioni Dukagjini”.
Shenjester së fundmi kishte raportuar ekskluzivisht se Telekomi, i menaxhuar aktualisht nga qeveria Kurti, lidhi kontratë marketingu me këtë televizion në vlerë rreth 35 mijë euro, sikurse edhe me disa televizione tjera.