I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk i është dukur si një grup i organizuar mirë. Ai e ka bërë këtë deklaratë gjatë dëshmisë së tij në ditën e tretë të procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Ideja që Drejtoria Politike kishte ndonjë rol në Shtabin e Përgjithshëm ishte diçka që personat në atë drejtori – përfshirë Adem Demaçin – përpiqeshin ta theksonin për të treguar se kishin përgjegjësi dhe autoritet. Për ne, kjo tregonte se po bëheshin përpjekje për ta konsoliduar pozicionin e tyre dhe për të qenë më të fortë se të tjerët. Megjithatë, përshtypja jonë gjatë gjithë kohës ishte se nuk bëhej fjalë për një grup njerëzish të organizuar mirë, me hierarki të qartë dhe përgjegjësi komanduese të përcaktuar,” ka thënë Hill.
Deklarata e tij erdhi pas një pyetjeje nga gjyqtari Guenael Mettraux, i cili iu referua një kabllogrami amerikan në të cilin përmendej roli i Adem Demaçit.
“Te paragrafi në mes është një fjali që fillon me ‘më në fund’. Aty thuhet: ‘Më në fund, një emër apo funksion (i redaktuar) i tha KDOM-it amerikan se Demaçi u emërua nga Shtabi i Përgjithshëm për të kryer disa funksione konkrete, të cilat nuk përfshijnë vendimmarrje politike për Shtabin e Përgjithshëm. Vetëm Shtabi i Përgjithshëm dhe drejtori politik që e udhëheq atë mund të marrin vendime politike.’
Pyetja ime është: a ju kujtohet ky kabllogram dhe përmbajtja e tij?”, pyeti gjyqtari Mettraux.
E dëshmitari tha se supozonte që Drejtoria Politike nuk ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm dhe kishte më shumë rol të kontaktit me jashtë.
“Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që Drejtoria Politike ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm apo që të drejtonte ndonjë gjë. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë dhe nuk ka qenë as supozimi ynë. Supozimi ynë, dua të jem i qartë, supozim në mungesë të fakteve, ishte që Shtabi i përgjithshëm më shumë ishte organ ushtarak dhe përbëhej prej komandantëve lokalë që i ishin bashkuar në një mënyrë në një moment dhe drejtoria politike ishte në shumë organi që merrej me botën e jashtme”, tha Hill.