Errët
Ndritshëm

OVL-UÇK paralajmëron protestën e 17 tetorit në Tiranë

14.10.2025

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbajtur sot një konferencë për media, ku është diskutuar për protestën që do të mbahet më 17 tetor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me fillim nga ora 17:00.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se organizata ka marrë mbështetje të madhe nga institucionet e shtetit shqiptar dhe konfirmoi se në protestë do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Jemi duke pritur sot ose nesër që të na lajmërojë për fjalim. Nuk besoj se do ta refuzojë, por gjithçka varet nga agjenda. Ai na ka thënë edhe mbrëmë se do të marrë pjesë në protestën e 17 tetorit,” deklaroi Gucati para mediave.

Ai shtoi se në protestë do të jenë të pranishëm edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Gucati gjithashtu theksoi se protestës i janë bashkuar me përkrahje të madhe edhe qytetarët nga Kosova.

Errët
Ndritshëm