Në Pikëkalimin Kufitar në Vermicë, oficerët doganorë kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, pas tentativës për shmangie të pikës së kontrollit.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, në momentin e ndalimit personi kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim, megjithatë gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit janë zbuluar mallra të padeklaruara, të ndara në disa pako pa fatura dhe dokumentacion përkatës.

Mallrat e padeklaruara përfshijnë produkte kozmetike dhe estetike, si dhe produkte farmaceutike të ndryshme, ndër to kremra për kujdes të lëkurës, serume, peeling dhe tonera, solucione për trajtime dermo-estetike, filler për buzë dhe fytyrë, pajisje për microneedling dhe derma roller, vitamina e suplemente si Vitamin D3, Devit dhe Feroven, si dhe solucione injektuese dhe produkte për trajtim të flokëve.

Sipas vlerësimit të bërë nga oficerët doganorë, shuma totale e mallrave të ndaluara arrin rreth 3,300 euro.
Ndaj palës është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave të mëtejme.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrolleve kufitare dhe në zbatimin e ligjit, me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe shmangies nga detyrimet doganore.