Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka mandatuar sot kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e bërë publik, Presidentja theksoi se vendimi është marrë në përputhje me kompetencat kushtetuese.
“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam mandatuar Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë,” ka deklaruar Osmani.
Sipas nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kandidati për Kryeministër, pasi të jetë mandatuar nga Presidenti, ka afat 15 ditë për të paraqitur përbërjen e Qeverisë dhe programin qeverisës për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh, emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Me këtë hap, procesi i formimit të Qeverisë së re pritet të nisë zyrtarisht në ditët në vijim.